Rreziku i ri: Gripi i dhive përhapet në Holandë
Amsterdam, 13 dhjetor – Ajo që shumica e holandezëve i frikëson nuk është gripi i derrave, por ai i dhive. Gjashtë persona kanë humbur jetën nga pasojat e së ashtuquajturës “Ethe Q”, të cilën e shkakton tek njerëzit gripi i dhive, dhe i cili përhapet drejtpërdrejt nga kafshët në njerëz.
Prandaj, ministri holandez i Shëndetësisë, Ab Klink, dhe ministrja e Bujqësisë, Gerda Verburg, kanë dhënë urdhër për shkatërrimin e dhjetëra mijëra dhive të infektuara me virusin e gripit.
Me epideminë e gripit të dhive janë të prekura kryesisht provincat lindore e jugore holandeze, në fermat e të cilave mbahet pjesa më e madhe e gjithsej 375 000 dhive. Zyrtarët shëndetësorë holandezë kanë bërë të ditur se me virusin e këtij gripi deri më tani janë infektuar 2 300 persona.
“Më shumë do të kisha dashur që ta merrja gripin e derrave, sesa atë të dhive”, ka thënë Jackline van den Bos. Kjo 50-vjeçare tash tetë muaj është duke vuajtur nga pasojat e gripit të dhive, transmeton agjencia FoNet.
“Kam pirë një numër të madh antibiotikësh. Fatmirësisht, më nuk kam temperaturë të lartë si në fillim të sëmundjes, mirëpo edhe më tutje ndjehem e dobët dhe e lodhur”, ka thënë ajo.
Jacqueline kishte pasur fat, pasi që mjeku i saj menjëherë i kishte dalluar simptomat e gripit të dhive: dhimbja e fytit, kokës dhe nyjeve, temperatura e lartë dhe molisja. Ajo menjëherë i ishte nënshtruar terapisë adekuate, pasi që po të mos kishte qenë ashtu mbase edhe nuk do të kishte mbijetuar.
Anita Vincent nuk kishte pasur aq fat dhe kishte marrë terapinë e gabuar.
“Më dhembte fyti, koka dhe nyjet, isha e stërlodhur dhe qaja nga dhimbjet”, ka thënë ajo. Pasi që ka menduar se ishte në depresion, mjeku i kishte dhënë anti-depresiv. Vetëm pas ndezjes së mushkërive, mjekët e kishin caktuar diagnozën e vërtetë - “Ethet Q”, duke i dhënë terapinë e duhur.
Ndërkohë, Anita Vincent e ka themeluar Shoqatën e të dëmtuarve nga gripi i dhive. Ajo dhe shoqata e saj akuzojnë ministrat përgjegjës, atë të Shëndetësisë dhe të Bujqësisë se kanë ndërhyrë shumë vonë. “Dhitë e infektuara është dashur të vriten shumë më parë”, ka thënë ajo.
Ministri holandez i Shëndetësisë, Ab Klink, megjithatë, ka thënë se rreziku nga infektimi është relativisht i ulët dhe se deri më tani nuk është shënuar asnjë rast i bartjes së virusit nga njeriu në njeri